PRESSJE.TV / Furkan Abdula
E them troç: për vite me radhë kemi vozitur sikur të ishim në një territor pa rregulla, pa frikë, pa kulturë — një xhungël moderne ku secili interpretonte ligjin sipas nervave të ditës. Dhe këtë realitet e kemi normalizuar aq shumë, saqë kur më në fund vjen një sistem që vendos rend, një pjesë e njerëzve trembet… jo nga padrejtësia, por nga humbja e kaosit me të cilin janë mësuar.
Safe City nuk është fundi i lirisë së lëvizjes; është fundi i anarkisë në komunikacion.
Dhe në një vend ku arroganca në timon është bërë normë, pikërisht ky fund na duhet.
Për herë të parë, rregullat do të vlejnë për të gjithë njësoj. Nuk ka më “e kapa policin në qejf”, “më fali”, “më pa kush jam”. Nuk ka më bravura me 120 përmes qytetit, as kalime të semaforit të kuq sikur të ishte këshillë, jo detyrim. Sistemi nuk kritikon, nuk selekton, nuk pyet — thjesht regjistron. Dhe ky është barazimi i parë real që e kemi parë në komunikacion në dekada.
Po, do të ketë pakënaqësi.
Po, shumë do të zbulon se as vetë nuk dinë pse janë të nervozuar — nga sistemi, apo nga fakti se më nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre.
Por nëse duam një qytet normal, me trafik të qetë, me më pak aksidente, me më pak funerale të kota, atëherë ky është drejtimi i vetëm i logjikshëm.
Safe City nuk është projekt teknologjik; është edukim me detyrim — dhe të themi të drejtën, ndryshe nuk funksionon te ne.
Unë dua një Shkup ku makinat ndalen në semafor jo se “ka polic”, por sepse është e rrezikshme të mos ndalësh. Dua një Shkup ku njerëzit ecin të sigurt, ku prindërit nuk shohin fëmijët me ankth sa herë kalojnë rrugën. Dua rrugë ku shpejtësia nuk është sport ekstrem.
Dhe po, këtë kulturë nuk do ta krijojmë me apel emocional — vetëm me disiplinë.
Safe City është pikërisht kjo.
Ky vend ka nevojë për rregull, jo retorikë.
Për përgjegjësi, jo pretekste.
Për siguri, jo nostalgji për kaosin.
Dhe nëse vërtet duam të dalim nga xhungla, ja ku është hapi i parë i vërtetë.