Mijëra foto, pak kujtime: çfarë po ndodh me ne?

PRESSJE.TV / Anesa Ibish

Jeta jonë sot është e mbushur me telefona, me të cilët shkrepim qindra imazhe çdo ditë. Çdo çast duket i denjë për një foto, por çfarë fshihet pas kësaj dëshire për të kapur çdo moment? Është vallë dëshira për të ruajtur kujtimet, apo frika se do të humbasim një pjesë të vetes nëse nuk e regjistrojmë çdo çast?

Fotografia ka shërbyer gjithmonë si një arkë kujtimesh, një mënyrë për të mbajtur gjallë atë që koha shpesh tenton ta fshijë. Një imazh shpesh na rikthen tek eksperiencat e kaluara, zgjon emocione dhe na çon në vende që nuk mund t’i përjetojmë më fizikisht. Por a është sot fotografia një arkë e shenjtë e jona, apo thjesht një kujtim i harruar mes mijëra të tjerave?

Një studim i botuar në Journal of Experimental Social Psychology tregon se njerëzit që dokumentojnë përvojat e tyre përmes medias shpesh i kujtojnë më pak saktë ato momente sesa ata që nuk e bëjnë këtë. Ky zbulim na bën të mendojmë se, ndoshta, në përpjekjen për të ruajtur kujtimet, po i sakrifikojmë përjetimet e gjalla.

Në shumë momente të jetës ditëlindje, festa, shëtitje apo udhëtime ndjejmë nevojën për ta “ngurtësuar” çastin me një foto. Por shpesh nuk përpiqemi ta përjetojmë plotësisht, duke u përqendruar më shumë tek regjistrimi sesa tek vetë përvoja. Kështu lind konsumi i shpejtë: grumbullojmë sa më shumë imazhe, i shpërndajmë menjëherë, ndërsa vlera e tyre e vërtetë mbetet për t’u zbuluar vetëm pas viteve.

Jemi rritur me tregimet e gjyshërve tanë, të cilët i ruanin momentet e veçanta në “arkën e zemrës”. Sot, ne i ruajmë përmes një fotografie një kujtim që nesër ka zë dhe peshë, e flet në shumë gjuhë.

Në fund, fotografia është arti që ndalon kohën. Artistët jemi ne sepse zgjedhim çfarë do të ruajmë dhe çfarë do të përjetojmë. Pyetja mbetet: a po i jetojmë çastet, apo vetëm i ruajmë për t’i parë më vonë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top