Neuromitet në arsim: Gabimet që po dëmtojnë nxënësit

PRESSJE.TV / Rejhan Sherifi Idrizi

Në dekadat e fundit, neuroshkenca ka hyrë me hov në botën e arsimit, duke u paraqitur si një dritë shprese: njohuritë mbi funksionimin e trurit, u tha, do ta bënin mësimdhënien më të saktë, e më frytdhënëse. Shumëkush besoi se arsimi do të ngrihej mbi themele shkencore e biologjike, se klasa do të bëhej vend ku dija nuk ushqehet me intuita e përfytyrime, por me fakte të bazuara. Mirëpo, bashkë me këtë optimizëm u shfaq edhe hija e një rreziku të madh: neuromitet.

Neuromitet janë besime të shtrembëruara mbi trurin, lindur nga keqinterpretimi i hulumtimeve, nga thjeshtëzimi i tepruar i rezultateve apo nga keqpërdorimi komercial i fjalës “neuro” që sot shitet si markë. Si shembull janë idetë se përdorim vetëm dhjetë për qind të trurit, se fëmijët duhen ndarë sipas stilit të tyre të të nxënit– vizualë, auditivë apo kinestetikë, se dora e majtë apo e djathta dikton fatin e mendimit tonë. Të gjitha këto, edhe pse të diskredituara, kanë zënë vend në ligjërimin arsimor dhe vazhdojnë të qarkullojnë si të ishin të vërteta të patundura.

Hulumtimet e viteve të fundit i kanë quajtur këto dukuri një “epidemi globale”. Një studim i botuar në ScienceDirect dëshmon se mesatarisht katër nga dhjetë pjesëmarrës në arsim bien pre e neuromiteve. Në Britaninë e Madhe, më shumë se nëntë nga dhjetë mësues besojnë tek “stilet e të nxënit”; në Holandë kjo shifër shkon mbi 96% siç raporton Landmark College. Në Turqi, një studim i vitit 2024 tregoi se mbi  97% të mësuesve ishin të bindur për vërtetësinë e stileve të të nxënit, ndërsa 79% pranonin teorinë e hemisferave të trurit. Revista Education and Science thekson se aty ku mësuesit ishin ekspozuar ndaj literaturës shkencore dhe kurseve serioze të neuroshkencës, besimi në mite ulej ndjeshëm; ndërsa leximi i librave “best-seller” apo artikujve të mediave nuk kishte asnjë ndikim mbrojtës.

Edhe pse në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut mungojnë studime të gjera statistikore, hulumtimet e pjesshme dhe përvoja në terren tregojnë se tendenca është e ngjashme: një numër i madh mësuesish i përfshijnë këto mite në praktikat mësimore, shpesh të përforcuara edhe nga trajnimet institucionale dhe literaturat e përkthyera pa verifikim shkencor. Kjo sugjeron se sistemi arsimor në Ballkan është po aq i ekspozuar ndaj “epidemisë së neuromiteve” sa edhe vendet e tjera, por me rrezikun shtesë që mungesa e hulumtimeve e bën problemin më pak të dukshëm e më të vështirë për t’u adresuar.

Pse pra këto mite mbijetojnë? Shumëkush diplomon si mësues pa pasur kurrë një njohje të thellë mbi neuroshkencën. Shkencëtarët flasin me gjuhë të ngurtë e të padepërtueshme për publikun e gjerë. Industria komerciale shet trajnime dhe manuale “brain-based”, ku termi “neuro” është më shumë strategji marketingu se sa garanci shkencore. Madje, disa nga këto mite janë zyrtarizuar, duke hyrë në tekstet shkollore dhe programet e trajnimit të mësuesve, çka i bën edhe më të vështira për t’u rrënuar. Dhe mbi të gjitha, ndikon fuqia e përsëritjes: sa më shpesh dëgjohet një ide, aq më e vërtetë duket. Ky është “iluzioni i së vërtetës”, që i jep jetë të gjatë edhe miteve të vjetra si ai i “dhjetë përqindëshit të trurit”, i popullarizuar nga kinemaja hollivudiane dhe i përmendur ende sot me bindje të plotë.

Pasojat janë tejet serioze. Mësuesit harxhojnë kohë e energji duke përdorur metoda të pavlefshme. Shkollat shpenzojnë para për programe që nuk japin fryt. Nxënësit dhe prindërit ushqehen me pritshmëri të rreme, duke u zhgënjyer më pas nga realiteti. Pra përhapja e pseudo-shkencës po krijon terren edhe për besime më të rënda, si lidhja e gabuar mes vaksinave dhe autizmit, duke dëshmuar se pasojat e neuromiteve mund të shkojnë përtej arsimit e të prekin vetë shëndetin publik.

Çfarë mund të bëhet? Ekspertët nënvizojnë domosdoshmërinë e një reforme të thellë. Universitetet duhet të rishikojnë programet e tyre e të përjashtojnë çdo përmbajtje të gabuar, duke i zëvendësuar me dije të bazuara në evidencë. Mësuesit në shërbim kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme që t’i mësojnë të dallojnë shkencën nga pseudo-shkenca. Ministritë e arsimit duhet të ngrejnë fushata ndërgjegjësimi dhe të monitorojnë me rigorozitet materialet mësimore. Ndërkohë, duhet ndërtuar një urë e fortë mes botës së laboratorit dhe klasës së shkollës, në mënyrë që gjetjet shkencore të mos humbasin rrugës e të mos deformohen në mite të reja.

Në fund, neuroedukimi mbetet një premtim i madh për të ardhmen e arsimit. Por ky premtim mund të kthehet në mashtrim, nëse mësuesit dhe politikat arsimore vazhdojnë të ushqehen me besime të gabuara. Lufta kundër neuromiteve nuk është luks akademik, por një domosdoshmëri shoqërore. Vetëm kur shkollat tona të ndërtohen mbi fakte të provuara, e jo mbi iluzione të stolisura me petkun e shkencës, arsimi do të bëhet vërtet një instrument emancipimi dhe zhvillimi dhe jo një pasqyrë që reflekton gabimet e së kaluarës me një emër të ri “neuro”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top